Edi Rama po punon fort për pajtimin Greqi- Turqi dhe për këtë qëllim u prit në mënyrë aq pompoze në Ankara dhe do të pritet po njësoj, te premten në Athinë. Ky është scoop-i që ka zbuluar gazetari Baton Haxhiu në emisionin “Opinion”.
“Kam një bindje që kjo përpjekje mund të sjellë një rezultat diplomatik, që mund të jetë i rrallë”, tha ai.
Konflikti mes Greqisë dhe Turqisë u ashpërsua shumë që prej gushtit të shkuar, kur incidentet e anijeve luftarake përreth ishullit Kastelorizio, në mesdheun lindor, krijuan tension mes krejt BE dhe Ankarasë.
Sipas asaj që pretendoi se ka mësuar Baton Haxhiu, negociatat për pajtim po zgjasin prej muajsh dhe Edi Rama ka marrë një rol protagonisti në to.
“Kjo është një përpjekje e një shteti të vogël për të pajtuar dy shtete të mëdha… Unë mendoj se ndonjëherë njeriu është më i rëndësishëm se sa shteti”, tha Haxhiu që i veshi një rol protagonisti Ramës në këtë proces.
Pasi Fevziu këmbënguli në zbulimin e më shumë detajeve, Baton Haxhiu tregoi se Rama ka bërë çmos në afrimin e Ankarasë me Athinën duke shtuar: “është një prej përpjekjeve më të rëndësishme diplomatike dhe politike dhe këto përpjekje besoj që do e kenë një fund”.
Më shumë detaje për këtë fund Haxhiu ka treguar gjatë emisionit Shock të mërkurën në Euronews.
Duke debatuar me gazetarin Andi Bushati, që e etiketoi Ramën si vasal të sulltanit të ri otoman, ai parashikoi se zgjidhja e këtij konflikti do të bëhet në Tiranë: “Të shikojmë se ç’do të thotë Bushati pas vizitës së Ramës në Athinë dhe sidomos pas asaj që do të ndodhë në datat 18 dhe 20 janar në Tiranë, që do e ngrejë diplomacinë shqiptare në një nga pikat më të larta që ka pasur ndonjëherë”, iu përgjigj ai pyetjeve të gazetares Bruna Çifligu në emisionin Shock.
Lidhur me pretendimet e Baton Haxhiut, nuk ka asnjë konfirmim nga autoritetet zyrtare.
Kjo temë nuk u përmend as në ditën e parë të vizitës pompoze të Ramës në Ankara. E vetmja gjë që të bën të dyshosh se Rama po kërkon të luajë rolin e ndërmjetësit është se ai në muajt e fundit i ka bërë shumë lëshime të dyja palëve.
Nga njëra anë ai i ka hapur rrugë Greqisë në marrëveshjen e detit. Ai ndryshoi plotësisht 180 gradë kur plotësoi kërkesën e Athinës për zgjidhjen e çështjes përmes një gjykate ndërkombëtare.
Ai duartrokiti vendimin e zgjerimit të Greqisë me 12 milje dhe firmosi nga ana tjetër tokën për varrezat e ushtarëve grekë.
Ndërsa Erdoganit po i plotëson kapriçot, duke shkelur ligjet shqiptare me ekstradimin e mësuesve gylenistë dhe mbylljen e shkollave të tyre në Shqipëri.
Gjithsesi, është shpejt të thuhet se kryeministri po nëpërkëmb interesat e vendit të vet, për të marrë rolin e një “lideri global” që influencon në ndërmjetësimin mes shteteve të mëdha.