Presidenti i zgjedhur i SHBA-ve, Joe Biden është duke mbajtur një fjalim televiziv në lidhje me dhunën dhe “pushtimin” që i është bërë ndërtesës së Kapitolit nga mbështetësit e Donald Trump.
Në fjalën e tij, Biden ka dënuar dhunën në Kapitol ndërsa është shprehur se kjo ngjarje është ndryshe nga çdo gjë që është parë në kohët moderne të vendit. Po ashtu, presidenti i zgjedhur shprehet se kjo që po ndodh në Kapitol nuk është Amerika e vërtetë, por shtoi ai, bëhet fjalë për një grup ekstremistësh.
“Në këtë orë, demokracia jonë është nën një sulm të paprecedentë. Kjo është ndryshe nga çdo gjë që kemi parë në kohët moderne. Një sulm ndaj kështjellës së lirisë, vetë Kapitolit. Një sulm ndaj përfaqësuesve të popullit dhe policisë së Capitol Hill, të betuar për t’i mbrojtur ata. Dhe nëpunësit publikë që punojnë në zemër të Republikës sonë … Më lejoni të jem shumë i qartë. Skenat e kaosit në Kapitol nuk pasqyrojnë një Amerikë të vërtetë. Nuk përfaqëson atë që jemi. Ajo që po shohim është një numër i vogël ekstermistësh kushtuar paligjshmërisë. Ky nuk është mospajtim. Është kaos…Dhe duhet të mbarojë tani. ”
Ndërsa presidenti amerikan Donald Trump u është drejtuar amerikanëve me një video-mesazh gjatë të cilit u kërkon që të shkojnë në shtëpi në paqe.
Në mesazhin e tij, Trump u thotë qytetarëve që e di që ata janë të lënduar, “pasi zgjedhjet u vodhën” por shton se ata duhet të largohen nga Kapitoli për të respektuar njerëzit e Ligjit dhe Rendit.
“Shkoni në shtëpi, ne ju duam, jeni shumë të veçantë. E keni parë se çfarë po ndodh, e keni parë si trajtohen të tjerët…E di si ndiheni, por shkoni në shtëpi, dhe shkoni në paqe.”