Presidenti Donald Trump është regjistruar në një bisedë telefonike duke i bërë presion një zyrtari të lartë të zgjedhjeve në shtetin e Georgias për të kryer një manipulim votash.
Mediat amerikane bëjnë me dije se Trump i ka kërkuar atij vota të mjaftueshme për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve në këtë shtet, ku republikani humbi.
Kjo është një nga përpjekjet më të fundit të Trump në kuadër të pretendimeve të tij mbi manipulimin e zgjedhjeve, sipas njoftimit të gazetës “Washington Post”, e cila ka arritur të sigurojë një regjistrim audio të një bisede telefonike të zhvilluar ditën e shtunë.
Media e cila publikoi dhe bisedën telefonike që zgjati një orë mes Trump dhe sekretarit të Shtetit të Xhorxhias Brad Raffensperger, gjithashtu republikan, tha se Presidenti në detyrë paralelisht e mburrte, i lutej dhe e kërcënonte Raffensperger me pasoja të paqarta penale, në një përpjekje për të zhbërë humbjen e tij në këtë shtet ndaj presidentit të zgjedhur Joe Biden.
Njerëzit e Xhorxhias janë të zemëruar, amerikanët janë të zemëruar”, tha Trump, sipas një fragmenti të shkëputur nga regjistrimi i telefonatës, botuar në internet nga gazeta The Washington Post. “Dhe nuk ka asgjë të keqe të thuash, e di çfarë….. i rillogaritëm rezultatet”.
“Pra ajo që dua të bëj, është thjesht të gjej 11,780 vota, që është një më shumë se sa kemi. Sepse ne e fituam shtetin”, shprehej zoti Trump gjatë telefonatës së regjistruar, duke këmbëngulur se nuk kishte asnjë mundësi që ai të kishte humbur garën në këtë shtet.
Shtëpia e Bardhë nuk pranoi të komentojë mbi këtë çështje.
Zyra e zotit Raffensperger nuk iu përgjigj menjëherë kërkesave për komente. Po kështu edhe zyra e tranzicionit e Biden nuk ka bërë deri tani asnjë koment mbi këtë çështje.