Dy 16-vjeçare nga Tirana janë zhdukur pa gjurmë prej 1 janarit. Mësohet se dy vajzat adoleshente janë larguar nga banesa e tyre, mëngjesin e ditës së parë të vitit.
Burime nga policia thanë se vajzat me iniciale M.H dhe K.A., kanë marrë me vete kartat e identitetit, telefonat dhe një sasi parash për t’u zhdukur pa lënë gjurmë.
Të njëjtat burime thanë se njëra prej tyre kishte kursyer një shumë të madhe parash që kishte mbledhur nga festat e fundvitit.
Vajzat janë parë për herë të fundit në ‘Qytet Studenti’ në kryeqytet. Policia ka bërë të ditur se deri më tani nuk rezulton që ato të kenë lëvizur jashtë vendit.
Në dëshminë që prindërit kanë dhënë në polici thuhet se vajzat u kanë thënë se do të shkonin te njëra-tjera për t’i uruar vitin e ri, por më pas janë zhdukur të dyja.
Prindërit janë përpjekur të komunikojnë në telefon, por ata kanë qenë të fikur.
Pasi vajzat e mitura nuk janë kthyer as në mbrëmje prindërit kanë bërë denoncim në komisaratin 1 të policisë. Në pyetje po merren edhe shoqet e tjera të vajzave.