Prapaskena

Sa vjeç është zemra juaj? Zbuloni faktorët që e dobësojnë para kohe

Publikuar: 02/01/2021

Të dhënat e një viti më parë nga Instituti i Shëndetit Publik, treguan shifra alarmante në lidhje me numrin e të sëmurëve nga zemra.

Në Shqipëri renditet si shkaku i parë i humbjes së parakohshme të jetës.

Po ju a jeni të rrezikuar?
Një projekt i përbashkët i Universitetit të Bostonit dhe Institutit Amerikan Për Zemrën, do të hedhë në treg një pajisje që përllogarit moshën e saktë të zemrës.

Ama jo vetëm moshën por edhe rrezikun që u kanoset nga sëmundjet kardiovaskulare.

Në përllogaritjen e këtij rreziku përfshihen edhe mosha, historiku i familjes dhe stili i jetesës. Nuk përjashtohen edhe ushqyerja, aktiviteti fizik dhe duhanpirja.

Nëse marrim në konsideratë numrin e lartë të njerëzve të prekur nga këto sëmundje në Shqipëri, atëherë me siguri, zemra e shumë njerëzve është ‘e plakur’ para kohe.

Faktorët që Plakin Zemrën dhe ata që e Rinojnë atë
Ju mund të ndiheni të rinj në moshë, por nëse pini duhan, nëse nuk kryeni aktivitet fizik dhe nëse nuk ushqeheni shëndetshëm, zemra juaj ka hyrë në moshën e tretë.

Ekspertët thonë se përveç ushqyerjes së shëndetshme dhe aktivitetit fizik, ju mund të ulni faktorët e rrezikut duke:

Ulur tensionin e gjakut

Përmirësuar nivelin e kolesterolit

Mirëmbajtur peshën

Kontrolluar nivelet e glukozës, sheqerit në gjak

Regjimi Mesdhetar – Më i Miri për Zemrën
Ushqyerja mesdhetare është një regjim i shëndetshëm për zemrën.

Nëse e keni të vështirë të ushqeheni shëndetshëm mund të ndërmerrni hapa të vogla:

Hani perime në të paktën dy herë në ditë

Hani nga një frut në çdo vakt

Përfshini arrorët, si arra, bajame, lajthi e të tjera, nëpër sallata

Hani mish të kuq vetëm një herë në javë

Nga ana tjetër, duke kryer edhe aktivitet fizik, ju mund të jeni në rrugën e duhur për ta mbajtur zemrën të re dhe në formë.

Në këtë mënyrë, mund të shmangni disa probleme dhe sëmundje kronike që jo vetëm ju vështirësojnë jetën, por edhe ju pengojnë të bëni një jetë të gjatë./AgroWeb.org



Më të lexuarat