Autoritetet meksikane thanë se po studiojnë rastin e një doktoreshe 32-vjeçare, e cila u shtrua në spital pasi mori vaksinën anti-Covid të prodhuar nga Pfizer-BioNTech.
Mjekja, emri i së cilës nuk është bërë i ditur, u shtrua në njësinë e kujdesit intensiv të një spitali publik në shtetin verior të Nuevo Leon pasi ajo përjetoi kriza, vështirësi në frymëmarrje dhe një skuqje të lëkurës.
“Diagnoza paraprake është encefalomieliti”,- tha Ministria e Shëndetësisë në një deklaratë të lëshuar të premten në mbrëmje, raporton “Reuters”. Encefalomieliti është një inflamacion i trurit dhe palcës kurrizore.
Ministria shtoi se doktoresha në fjalë ka një të shkuar me reaksione alergjike, dhe tha se nuk ka asnjë provë se inflamacioni i trurit ka ardhur pas injektimit të vaksinës. Ende nuk ka një reagim zyrtar nga kompania Pfizer-BioNTech lidhur me rastin.
Më shumë se 126,500 njerëz kanë vdekur nga Covid-19 në Meksikë. Vendi filloi shpërndarjen e e parë të vaksinave anti-Covid-19 për punonjësit e kujdesit shëndetësor në 24 dhjetor.